Kur Uragani Sandy goditi qytetin e Nju Jorkut në vitin 2012, duke shkaktuar 44 vdekje dhe 19 miliardë dollarë dëme materiale, qyteti nisi një plan ambicioz për të mbrojtur banorët e tij nga stuhitë dhe përmbytjet e ardhshme potenciale, përcjell UBT News.
Tani, ky plan ambicioz po realizohet me ndërtimin e një muri pranë detit në vlerë prej 1.45 miliardë dollarësh, e që gjendet rreth një pjese të Manhatanit të poshtëm.
Qëllimi i projektit është për të siguruar që qyteti të jetë i gatshëm për efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat mund të bëjnë që stuhitë si Sandy të bëhen më të shpeshta së bashku me rritjen e nivelit të detit.
Muri do të jetë 3-5 metra i lartë pas përfundimit të tij kurse gjatësia do të jetë 4 kilometra.
Do të ndërtohet gjithashtu një portë për të parandaluar depërtimin e ujit në Manhatan, ku dendësia e popullsisë është shumë e lartë. Si pjesë e projektit, shumë ndërtesa në Manhatan së bashku me infrastrukturën po përforcohen.
Qyteti do të mbjellë gjithashtu rreth 1,800 pemë – gati dyfishi i numrit që ka shkatërruar ndërtimi i projektit, së bashku me 1,000 të tjera në lagje, tha Sara Nielsen nga Departamenti i Parqeve të Qytetit të Nju Jorkut. Rreth 500 pemë të reja tashmë janë mbjellë./UBTNews/