UBT News

Plagosi 15-vjeçarin dhe fshehu armën e krimit, arrestohet 21 vjeçari

Një 21 vjeçar u arrestua në Dibër, pasi plagosi aksidentalisht një 15 vjeçar. Policia sot informoi se i dyshuari u arrestua për dy vepra penale: “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe një shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Lidhur me rastin, Policia gjeti të fshehura në mal, dy armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë).

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi K. V., 21 vjeç, mbi fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjecarin, banues në fshatin Ceren, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. V., 21 vjeç, banues në fshatin Ceren, Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, informoi Policia e Shtetit.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A. L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version