Një person është plagosur sot (e enjte) në afërsi të gjykatës në Gjakovë, dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të kësaj komune.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në mesditë.
“Sot rreth orës 12:21 kemi pranuar informatë se një person është i plagosur në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ – Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se një person i moshës madhore është qëlluar me armë zjarri. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës”, ka thënë ai.
Sipas Elezajt, gjendja e viktimës për momentin është stabile (jashtë rreziku për jetë). Ai ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.