Policia e Kosovës bën të ditur se sot rreth orës 02:00 në rrugën “Transiti i ri “ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në parkingun e një pike shitje të derivateve. Sipas policisë të dyshuarit menjëherë pas takimit kanë filluar të fjalosen dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të dyshuarve të tjerë.
“Pas shkrepjes së armës persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në emergjencën e Spitalit Rajonale të Prizrenit. Me kohë janë njoftuar Sektori i Hetimeve të stacionit dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të hetimeve të cilët kanë dal në vend ngjarje dhe kanë mbledh provat dhe dëshmitë”, thuhet në komunikatë.
Sipas policisë dy nga të dyshuarit gjinden në trajtim mjekësor, gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, kurse të dyshuarit tjerë janë në kërkim.
“Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast, janë kryer kontrolle në disa vende, tre armë zjarri- pistoleta dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Sektori Rajonal i Hetimeve I Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin, në konsultim me prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si “Vrasje në tentative “ dhe “Mbajtje në pronësi. kontroll, posedim apo shfrytëzim i pa autorizuar i armës”.