UBT News

Plaga e lajmeve të rreme në zgjedhjet presidenciale të Brazilit

Vetëm disa javë në prag të zgjedhjeve presidenciale, autoritetet në Brazil po mundohen të limitojnë shpërndarjen e dezinformatave online. Ndonëse vendi është më i përgatitur të përballet me lajmet e rreme sesa që ishte gjatë kampanjës të vitit 2018, ku Jair Bolsonaro fitoi zgjedhjet, disa përmbajtje dhe platforma po i shmangen kontrollit.

Mbështetësit e presidentit Jair Bolsonaro dolën në numër të madh më 7 shtator për të shënuar 200-vjetorin e pavarësisë së Brazilit nga Portugalia. Në plazhin Copacabana në Rio de Zhaneiro, një grumbull njerëzish me telefona inteligjentë realizonin, shpërndanin dhe ripostonin me furi fotografitë.

Sonia, një 50-vjeçare nga Rio, është një nga ta.

“Shpërndaj gjithçka, madje në grupet e WhatsApp-it ato shpërndahen menjëherë”, deklaroi ajo.

Ajo tashmë ka dërguar videot dhe fotot te të gjitha kontaktet e saj, edhe pse i njeh vetëm disa nga ta.

Këto grupe mesazhesh janë mjeti kryesor për lajmet e rreme në Brazil dhe përbëhen nga një rrjedhë e pafund mesazhesh kërcënuese të shkruara me shkronja të mëdha.

“Urgjente, Lula po planifikon vrasjen e Bolsonaros”, thuhet në një shkrim. “Një entuziast pro-Lula kritikon flamurin e Brazilit”, thuhet në një tjetër.

Edhe sondazhet e rreme që parashikojnë fitoren e Bolsonaros qarkullojnë gjerësisht.

Që nga viti 2018, mediat sociale kanë qenë mjeti i preferuar i Bolsonaros për të komunikuar me bazën e tij mbështetëse, ndërsa mediat tradicionale portretizohen si një armik që duhet mposhtur.

“Gazetarët janë të gjithë të korruptuar, ata janë leninistë, trockistë”, thonë disa nga mbështetësit e presidentit në Copacabana.

WhatsApp, një burim lajmesh

Brazili është tregu i dytë më i madh në botë për WhatsApp, pas Indisë – dhe aplikacioni është një nga kanalet kryesore për qarkullimin e lajmeve të rreme. Gjashtë në çdo dhjetë brazilianë përdorin WhatsAppin çdo ditë. Një studim i vitit 2019 i porositur nga Kongresi Brazilian zbuloi se 79 përqind e brazilianëve i marrin lajmet e tyre kryesisht nga WhatsApp.

Bolsonaro e shfrytëzoi me sukses këtë mjet gjatë fushatës së tij në vitin 2018. Një ish-parashutist, nuk merrej edhe aq shumë me politikë në atë kohë, një anëtar i një partie të vogël me pak ndikim dhe pak burime – kështu që ai u mbështet në WhatsApp. Fotot, memet, videoklipet, të gjitha të shpërndara përmes miliona mesazheve në WhatsApp, shërbyen si reklama të fushatës së tij./UBTNews/

Exit mobile version