Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot ka filluar gjykimi ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit rendojnë akuza nën pretendimin për krime lufte. Para trupit gjykues, Shala edhe njëherë është deklaruar i pafajshëm, derisa i ka quajtur shpifje akuzat e lexuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Kjo zyrë e bën përgjegjës Shalën për ndalim arbitrar, trajtim mizor torturë, vrasje të paligjshme, për të cilat prokuroria pretendon se kanë ndodhur në periudhën maj-qershor të vitit 1999 në fabrikën e metalit në Kukës.
Në hapje të gjykimit ku pritet të bëhet deklarata hyrëse nga Prokurori i Specializuar, Shalës i është lexuar aktakuza, ku ndër të tjera, është thënë se ai ngarkohet edhe si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës.
“I akuzuari Pjetër Shala akuzohet me katër akuza për krime lufte, pika 1; ndalim arbitrar si krim lufte i kryer në fabrikë ne metalit në Kukës përafërsisht mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999, i ndëshkueshëm sipas nenit 14, 1 (c), Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pika 2; trajtim mizor, po ashtu krim lufte i kryer në fabrikën e metalit në Kukës përafërsisht mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999 i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) i, të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pika 3; torturë, po ashtu krim lufte, i kryer në fabrikën e metalti në Kukës përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) i, të Ligjit. Pika 4; vrasje e paligjshme si krim lufte kryer më 5 qershor 1999 ose rreth asaj date në fabrikën e metalit në Kukës i ndëshkueshëm sipas nenit 14 1 (c) 1 të aktakuzës”, ka thënë prokuroi Filipe Deminiqes derisa ka lexuar aktakuzën.
Ai ka shtuar se Shala akuzohet si “anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“I akuzuarit ngarkohet me këto vepra penale, në zbatim të nenit 16 1 a të ligjit për tre forma të përgjegjësisë penale. Së pari akuzohet si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët me qëllim të përbashkët kryerjen e krimeve si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Dhe akuzohet në pikat 1 deri në 4 të aktakuzës. I akuzuari ngarkohet se kishte synimin e mjaftueshëm për secilën nga këto krime. I akuzuari ngarkohet si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës, të paraqitura në pikat 1 deri në 3 të aktakuzës. Së fundmi, i akuzuari ngarkohet si ndihmues dhe inkurajues për të gjitha krimet e paraqitura në pikën një deri në 4 të aktakuzës”, ka shtuar prokuroi.
Krejt këto, ish pjesëtari i UÇK-së i ka quajtur trillime.
“E kuptoj, por nuk pranoj asgjë se këto janë të gjitha shpifje dhe trillime”, ka thënë ai.
Shala, edhe njëherë është deklaruar i pafajshëm
“Jam i pafajshëm”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka bërë të ditur se Shala do të ketë mundësi të bëjë një deklaratë jo nën betim, pasi përfundimit të deklaratës hyrëse të mbrojtësit të tij.
Në hapje të gjykimit, ajo gjithashtu ka kërkuar nag palët që deklaratat hyrëse t’i paraqesin në formë publike dhe të përdorin materiale që mund t’i përcjellë edhe publiku.
Por, ajo ka theksuar se ka informacione që janë objekt masash mbrojtëse dhe urdhërash konfidencialiteti dhe si të tilla nuk duhet nxjerrë për publikun. Ajo ka bërë të ditur se në raste të tilla do kalohet në seancë private.
Kryetarja e turpit gjykues ka thënë se deklaratat hyrëse do të jenë publike, përveç në rastet kur trupi gjykues e kërkon të kundërtën apo një gjë e tillë kërkohet nga palët.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala janë kryer përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave, që janë mbajtur të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.