Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimin për snajper, në kuadër të përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe avancimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi kishte për qëllim certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë operativë, të aftë për të vepruar sipas standardeve moderne ushtarake dhe për të përdorur sisteme të ndryshme të armëve në misione të ndryshme operative.
“Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi në qitje precize, taktika fushore, kamuflim, vëzhgim, lëvizje taktike dhe zbatimin e procedurave operacionale në terren”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës thekson se do të vazhdojë të investojë në zhvillimin profesional dhe operacional të personelit të saj, me synim rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake në përputhje me standardet më të larta bashkëkohore./A.K/
