Sllovenia dhe Irlanda i janë bashkuar listës së vendeve që kanë vendosur të mos marrin pjesë në “Eurovision 2026”, pasi Izraelit iu lejua të konkurrojë në festival.
RTV Slovenia, së bashku me Spanjën, Malin e Zi, Holandën, Turqinë, Algjerinë dhe Islandën, kishte kërkuar një votim të fshehtë lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit, por një procedim i tillë nuk u zhvillua.
Në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) në Gjenevë, nuk u votua drejtpërdrejt për pjesëmarrjen e Izraelit; megjithatë, u miratua skenari aktual i organizimit, i cili përfshin edhe Izraelin.
Natalija Gorščak, presidente e Bordit të Drejtorëve të RTV Slovenia, konfirmoi për TV Slovenia se vendi “definitivisht” nuk do të marrë pjesë në festival, duke theksuar se edhe Spanja, Holanda dhe Irlanda kanë marrë të njëjtin vendim.
Edhe transmetuesi publike irlandez, RTÉ, publikoi një deklaratë ku njoftoi bojkotin e Eurovision dhe refuzimin për ta transmetuar atë.
Në deklaratë thuhej se pjesëmarrja e Irlandës është “e papranueshme” për shkak të situatës humanitare në Gaza, humbjes së jetëve civile dhe vrasjes së gazetarëve gjatë konfliktit, si dhe ndalimit të vazhdueshëm të aksesit për gazetarët ndërkombëtarë.
Edhe Holanda dhe Spanja kishin njoftuar më herët tërheqjen e tyre nga gara për të njëjtat arsye. /A.Z/UBT News/
