UBT News

Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision 2026 mbetet e pasigurt

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka vendosur të shtyjë marrjen e vendimit për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision 2026, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Takimi virtual i planifikuar për nëntor është anuluar, dhe çështja do të diskutohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së në dhjetor.

Shtyrja vjen pas presionit në rritje nga disa vende pjesëmarrëse, përfshirë Spanjën, Irlandën, Slloveninë, Islandën dhe Hollandën, që kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë konkursin nëse Izraeli merr pjesë.

Sipas tyre, pjesëmarrja e Izraelit konsiderohet problematike për shkak të situatës së tensionuar në Rripin e Gazës.

Transmetuesi austriak ORF, nikoqir i edicionit të ardhshëm, e ka mirëpritur vendimin e EBU-së dhe thekson se muzika dhe artet nuk duhet të përdoren si mjet për sanksione politike, duke shtuar se konkursi duhet të mbetet një platformë për unitet kulturor.

Nga ana tjetër, transmetuesi izraelit Kan konfirmoi se Izraeli mbetet i vendosur për të marrë pjesë, duke kujtuar suksesin e fundit të përfaqësuesit Yuval Raphael, i cili fitoi më së shumti vota nga publiku, megjithëse fituese u shpall Austria për shkak të votave të jurisë.

EBU thekson se shtyrja e vendimit ka për qëllim të mundësojë një diskutim të hapur mes anëtarëve për pjesëmarrjen e mundshme të Izraelit dhe të ardhmen e konkursit. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version