Profesori i UBT-së, Petrit Ahmeti, ish-studenti i arkitekturës në UBT, Ahmet Gashi dhe studentët e nivelit master, Erona Gashi dhe Blend Kalaveshi në kuadër të kompanisë EUROING, ishin pjesë përbërëse e ekipit udhëheqës të projektimit, dizajnimit dhe ndërtimit të dy ndërtesave të zyreve dhe akomodimit për “Allied Command Counterinteligence” (ACCI) nën mbikëqyrjen e “NATO Support and Procurement Organisation” (NSPA).
Projekti kishte për synim krijimin e hapësirave të zyreve dhe atyre të akomodimit për zyrtarët e ACCI, sipas standardeve të larta të efiçiencës së energjisë, duke pasur në fokus aplikimin e sistemit të parafabrikuar SIP (Structural Insullated Panels), me ç’rast dy ndërtesa janë dizajnuar, prodhuar dhe implementuar deri në funksionalizim të plotë brenda dhjetë muajsh, nga tetori i vitit 2022, deri në korrik të vitit 2023.
Vlen të theksohet së niveli i cilësisë së ndërtimit arrin ato të nivelit “Nearly Zero Energy Building” (NZEB), duke pasur parasysh izolimin superior nga 19 cm, dritare 3 shtresore/Low-E/argon, si dhe sistem të ngrohje-ftohjes përmes ajrit me pompa termike me rikuperim termik.
Ekipi i plotë projektues i këtyre dy ndërtesave është i përbërë nga: Petrit Ahmet – arkitekturë, Rilind Kuçi – Strukturë/beton çelik, Tamas Szalai – strukturë/SIP, Elma Ndreca – arkitekturë, Erona Gashi – arkitekturë, Blend Kalaveshi – arkitekturë, Agan Lezi – instalime elektrike, Kushtrim Kryeziu – ujësjellës dhe kanalizim, si dhe Erion Lusha – sistemi mekanik.
Ky lloj ndërtimi është i pari i llojit të vet në Kosovë dhe për bazat e NATO-s globalisht, si ndër hapat e parë të NATO-s për uljen e emetimit të karbonit përmes ndërtesave të saj, duke u konsideruar si e ardhmja e ndërtimit në bazat e NATO-s, krahas ndërtimeve të deritanishme nga kontejnerët metalik.
Për këtë projekt të realizuar, ekipi realizues u dekoruan me certifikata dhe medalje mirënjohjeje nga ACCI dhe NSPA për cilësinë dhe angazhimin profesional.