Një pikturë e “harruar”, që u mbajt në të njëjtën familje për gjenerata të tëra, u shit për 9.1 milionë dollarë në ankand, pasi ekspertët zbuluan se ishte vepër e piktorit francez, Jean-Honoré Fragonard.
Antoine Petit nga shtëpia e Ankandit Encheres Champagne në Epernay të Francës verilindore, e analizoi këtë pikturë, kur u ftua për ta vlerësuar këtë trashëgimi në një apartament afër vendit.
Petit e pa këtë pikturë – me përmasa 45.8 deri në 57 centimetra – lart në një mur, pikturë kjo që ishte mbuluar nga pluhuri.
“Mendova me vete sa e bukur ishte”, deklaroi ai.
Kur e mori pikturën që ta analizonte nga afër, ai e pa fjalën “Fragonard”, që ishte shkruar në pjesën e pasme të pikturës.
Pronarët, të cilët e kishin mbajtur pikturën në familje për breza të tërë, ia dhanë këtë vepër të artit Petit, i cili e dërgoi për t’u vlerësuar nga Cabinet Turquin, një kompani e ekspertëve të pikturës me bazë në Paris.
“Nuk isha plotësisht i sigurt në veten time”, deklaroi Petit, teksa shtoi se Cabinet Turquin konfirmoi se kjo ishte vepër autentike e Fragonardit.
“Pavarësisht pluhurit dhe njollave në kanavacë, fuqia e pikturës së tij mbetet lehtësisht e dallueshme”, deklaroi Stephane Pinta nga Cabinet Tuequin.
Fragonard jetoi nga vitet 1732-1806 dhe konsiderohet si një nga piktorët më emblematikë të shekullit të 18-të./UBTNews