UBT News

Philips: Vetëm SHBA ka kapacitetin për të obliguar marrëveshjen finale me Serbinë

Drejtori i Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe Paqes në Universitetin “Columbia” të Nju Jorkut, David Philips, ka deklaruar sot se presin që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, për të cilën tha se vetëm SHBA ka kapacitetin për ta shtyrë përpara.

Philips, në një tryezë të organizuar nga LDK me temën “Fuqizimi i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës”, shprehu bindjen e tij se marrëveshja përfundimtare do të rezultojë me njohje reciproke.

Ai foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, për çka tha se nuk janë zbatuar plotësisht.

“Vetëm SHBA ka kapacitetin për të detyruar një marrëveshje, për të zbatuar një marrëveshje, dhe përmes diplomacisë dhe ndërmjetësimit të saj për t’u bashkuar në bashkëpunimin transatlantik e për t’i dërguar një mesazh shumë të qartë Beogradit, boll më, ky proces duhet të përfundojë, duhet të përfundojë me drejtësi për popullin e Kosovës. Në qoftë se nuk arrijmë në atë pikë, Serbia vetë nuk mund të zhvillohet si shoqëri dhe të gjithë duam që kjo pjesë e botës të ecë përpara, në mënyrë që të ketë progres dhe bashkëpunim. Dhe kështu, SHBA mund të forcojë aleancat e saj, në radhë të parë më së shumti me Republikën e Kosovës, por gjithashtu edhe me të gjitha vendet në rajon”, tha Philips, raporton KP.

Ai potencoi se BE është ndërmjetësuesi kryesor, porse theksoi se SHBA duhet të përmirësojë pjesëmarrjen e saj.

Philips hodhi dyshime nëse BE mund të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën, pasi që përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është sllovak dhe Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, në këto takime nuk duhet të marrë pjesë një ndihmës-sekretar ose zëvendës ndihmës-sekretari, porse do të ishte e dobishme që presidenti Joe Biden të caktojë një të dërguar të posaçëm presidencial, në mënyrë që të rritet presioni në këto diskutime dhe të arrihen rezultate.

Exit mobile version