Vaksina Pfizer ofron mbrojtje të fuqishme të paktën gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë, sipas të dhënave të kompanisë – derisa një dozë e tretë mund të rrisë “fuqishëm” mbrojtjen kundër variantit të ri Delta.
Këto të gjetura janë zbuluar nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech derisa kanë njoftuar për planet e tyre për të kërkuar miratimin për të rritur efektivitetin e vaksinës që ata e kanë prodhuar (me një dozë shtesë).
Këto të dhëna janë publikuar online si pjesë e një prezantimi të kompanisë dhe nuk i janë nënshtruar shqyrtimit shkencor.
Rezultatet e përditësuara nga prova fillestare e kompanisë, me 44 mijë persona, kanë treguar se mbrojtja kundër COVID-19 bie gradulisht çdo dy muaj, nga piku prej 96 përqind që ishte dy muaj pasi pjesëmarrësit e kësaj prove kishin marrë dozën e dytë.
Në muajin e katërt efektiviteti i kësaj vaksine kundër COVID-19 ishte 90 përqind, derisa pas gjashtë muajsh ishte rreth 84 përqind.
Në këtë prezantim të Pfizer përmendet gjithashtu se mbrojtja nga varianti Delta ishte pesë herë më e madhe te të rriturit mbi moshën 55 vjeçare të cilët kishin marrë një dozë të tretë të vaksinës. Për grupmoshat më të vjetra doza e tretë ofronte 11 herë më shumë mbrojtje nga varianti Delta, sipas kompanisë.