UBT News

Pezullohen fluturimet me Britaninë e Madhe

Kosova ka marrë vendim të pezullojë fluturimet me Britaninë e Madhe për shkak se në këtë shtet ka filluar të shfaqet një variant i ri i koronavirusit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, njoftimi hyn në fuqi nga sot.

“Bazuar në kompetencat e tij lidhur me masat antiCOVID, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nxjerrë sot vendim për masa të veçanta për mbrojtje nga përhapja e infeksionit/sëmundja Covid-19 për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas. Të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MSH-së.

Ky vendim udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.

“Për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MSH-së./UBTNews

Exit mobile version