Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë, por nuk treguan arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.
Më herët gjatë 3 majit, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviq kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.
Petkoviq ishte parparë të merr pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.
Edhe në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.
Në janar 2024, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.
Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga BE. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.