Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq po qëndron në Kosovë me leje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Nga MPJD thonë se Petkoviqit i është lejuar qëndrimi në Kosovë për dy ditë, pra më 16 dhe 17 mars.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka aprovuar kërkesën e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për lejim të hyrjes në Republikën e Kosovës të zyrtarit serb, Petar Petkoviq, për datat 16-17 mars 2021. Kërkesa është bërë bazuar në Marrëveshjen për vizitat zyrtare të nënshkruar në Bruksel, më 2014”, thuhet në komunikatën për media.
MPJD kërkon që Petkoviq gjatë vizitës së tij në Kosovë të respektoj protokollin dhe agjendat e tij dhe t’i përmbahet deklaratave politike.
“MPJD e Republikës së Kosovës kërkon që gjatë kësaj vizite të respektohet protokolli dhe agjenda nga ana e z. Petkoviq, si dhe të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe nga retorikat kundër shtetit të Kosovës. Mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës do të ndikojnë në refuzimin e vizitave të tjera nga Serbia”, thuhet në komunikatën e MPJD.