Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, thotë se “Non-paper” për ndryshimin e kufijve nuk është një dokument i shtetit të Serbisë.
Ai mes tjerash thekson se është e çuditshme që presidenti Aleksandar Vuçiq po sulmohet në lidhje me këtë.
“Ne nuk e kemi shkruar, dhe as kemi ndonjë lidhje me të, por është e çuditshme që presidenti serb Aleksandar Vuçiq po sulmohet në këtë drejtim”, i tha Petkoviq RTV-së.
Ka pasur raportime se kryeministri slloven Janez Jansha kishte dërguar një dokument jozyrtar diplomatik (“Non-paper”) në Bruksel, i cili flet për një ripërcaktim të kufijve në Ballkan.
Sipas këtij dokumenti ishte propozuar ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.