Përdorimi i pesticideve të ndaluara në fruta dhe perime është cilësuar si një formë gjenocidi ndaj popullsisë shqiptare. Një hetim i rrjetit BIRN ka zbuluar se, ndonëse këto pesticide janë të ndaluara në Bashkimin Evropian për vite të tëra, ato vazhdojnë të tregtohen në Shqipëri. Kjo situatë ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve shqiptarë, pasi produktet që dalin në treg mund të përmbajnë lëndë kimike të dëmshme.
Një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci më 29 nëntor 2024, pas analizave që treguan se ato përmbanin Chlorpyrifos, një pesticid që u ndalua nga Bashkimi Evropian në vitin 2020. Ky incident është vetëm një nga shumë të tjerë që dëshmojnë dështimin e institucioneve shqiptare në monitorimin dhe parandalimin e përdorimit të pesticideve të ndaluara në bujqësi.
Nga hetimi, është evidentuar se qeveria shqiptare ka dështuar të sigurojë një mbikëqyrje adekuate për përdorimin e pesticideve, për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe pasigurisë ligjore. Autoritetet shtetërore, si Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), që janë përgjegjëse për inspektimet dhe testimet e produkteve bujqësore, kanë dështuar të kryejnë inspektime të mjaftueshme dhe në kohë. Në vitin 2024, vetëm disa analiza laboratorike kanë konstatuar praninë e 7 pesticideve të ndaluara, përfshirë Chlorpyrifos, Dimethoate, dhe Linuron. Kjo ka ngritur shqetësime për cilësinë e produkteve që po konsumojnë qytetarët dhe për sigurinë e eksporteve shqiptare.
Ekspertët kërkojnë një monitorim më të rreptë dhe më të qëndrueshëm të përdorimit të Pesticideve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) në produktet e konsumit të përditshëm, si dhe ndjekjen e protokolleve të kontrollit të njëjta për produktet vendase dhe ato të importuara. Deri tani, shteti shqiptar duket të ketë qenë i mjaftuar me verifikimin e certifikatave të origjinës së mallrave, duke lënë kështu dyshime për sigurinë reale të produktit që mbërrin në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë.
Ky investigim ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për forcimin e kontrollit dhe transparencës në tregun e produkteve bujqësore në Shqipëri, si dhe për një angazhim më të madh nga autoritetet për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe të garantuar cilësinë e eksporteve të vendit./UBTNews/