Gjykata e Lartë e Zurichut ka dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim një shtetas kosovar, 48 vjeç, për hedhjen në erë të një bankomati në Dietlikon të Zvicrës më 31 gusht 2021. Ai shkaktoi dëme në vlerë 69 mijë franga zvicerane, ndërsa paratë në bankomat mbetën të paprekura. Po ashtu, ai është dënuar me 10 vjet dëbim nga Zvicra.
Kosovari kishte një histori të gjatë kriminale në Zvicër, me shtatë dënime për vjedhje dhe kundërvajtje që nga viti 1996 deri më 2006. Ai ishte dëbuar nga Zvicra në vitin 2011, por u kthye ilegalisht në vitin 2016, duke mos përfshirë të dhënat për dënimet e tij të mëparshme në Shqipëri. Para krimit të vitit 2021, ai kishte kaluar gjithsej 40 muaj në burg.
Në vitin 2021, ai dhe një tjetër person hodhën në erë bankomatin duke përdorur pajisje të vjedhura saldimi. Autoritetet identifikuan të dyshuarin përmes gjurmëve të ADN-së. Fillimisht, në Gjykatën e Qarkut të Bulach, ai u dënua me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe 14 vjet ndalim hyrje në Zvicër, por pas ankesës në Gjykatën e Lartë, ai u dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim dhe 10 vjet dëbim nga Zvicra.
Në gjykatë, ai e deklaroi veten të pafajshëm dhe kërkoi lirimin, duke përmendur sëmundjet shëndetësore që po kalon, si dhe pretendimet për ndihmën e dobët mjekësore në Kosovë. Avokati i tij argumentoi gjithashtu se 14 vjet dëbim ishin të papërshatshëm. Megjithatë, Gjykata e Lartë e Zurichut e konfirmoi fajësinë dhe vendosi që ai të vuajë pjesën e mbetur të dënimit dhe të largohet nga Zvicra për 10 vjet.
Kosovari ka mundësinë të apelojë vendimin në Gjykatën Federale./UBTNews/