Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
Arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë.
Më pas, dyshohet se M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.
Prokuroria dyshon se gjatë këtij procesi janë përdorur edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.
Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./A.K/
