Pesë persona janë arrestuar në Pejë, Rahovec, Malishevë dhe Fushë Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në shpërndarje të materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Sipas raportit të policisë, pas një pune hetimore janë identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej të cilëve janë të mitur, të cilët dyshohet se përmes rrjeteve sociale kanë shkarkuar dhe shpërndarë materiale të tilla.
Gjatë operacionit janë sekuestruar dy laptopë dhe tre telefona celularë si prova materiale.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
