Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i zhvilluar në disa qytete të vendit nën emrin “White Star”.
Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore.
Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe përfshirje në pastrim parash.
Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë sekuestruar:
- 6 armë zjarri
- 5 karikatorë dhe 239 fishekë
- Lëndë narkotike (kokainë dhe fara marihuane)
- 25 telefona mobilë
- 7,595 euro para të gatshme
- 10 automjete dhe 1 motoçikletë
- 10 kompjuterë
- 13 USB dhe 1 DVR
- 16 ora dore
Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës, të cilat kanë qenë të pranishme dhe kanë monitoruar zhvillimin e aksionit në terren së bashku me prokurorin e rastit.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se ky operacion paraqet goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe se veprimet hetimore do të vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve. /A.K/
