Policia e Kosovës ka njoftuar se janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit.
Rastet e regjistruara janë në Pejë, Kaçanik, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë.
Sipas Policisë, në Pejë është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një grua.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e shkaktuara, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Kaçanik, dy burra janë shoqëruar për intervistim pasi dyshoheshin për kryerje të veprës së dhunës në familje ndaj një gruaje, sipas raportit 24 orësh.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Poashtu, Policia bën të ditur se në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë janë shoqëruar për intervistim tre burra të dyshuar për dhunë në familje ndaj grave.
Me urdhër të prokurorit, këto raste do të vazhdojnë të trajtohen në gjendje të lirë. Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dhunës në familje dhe të bashkëpunojnë me institucionet për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.
