Policia e Kosovës ka raportuar pesë raste të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit. Katër persona janë arrestuar, ndërsa në një rast i dyshuari vazhdon të jetë në kërkim.
Në Prishtinë janë raportuar dy raste të dhunës në familje brenda pak orësh. Rasti i parë ka ndodhur pak pas mesnatës, kur një burrë u arrestua nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima refuzoi trajtimin mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyja palët u liruan dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. Ndërkohë,u arrestua një tjetër i dyshuar, i cili dyshohet se sulmoi fizikisht një të mitur dhe ushtroi dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima pranoi trajtim mjekësor, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Në Rahovec, një burrë raportoi se pas një mosmarrëveshjeje familjare, një i afërm e kërcënoi se do t’ia digjte veturën. I dyshuari u arrestua dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.
Ndërkaq, në Gjakovë, një grua raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga një burrë më 4 gusht. Si pasojë e dhunës ajo mori trajtim mjekësor. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar në koordinim me prokurorin.
Një tjetër rast u raportua në Mitrovicën e Jugut, ku pas një mosmarrëveshjeje një burrë dyshohet se sulmoi fizikisht një tjetër burrë. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës njoftoi se të gjitha rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore.
D.L
