UBT News

Pesë raste të armëmbajtjes pa leje në Kosovë, konfiskohen pistoleta dhe municion

Pesë raste të armëmbajtjes pa leje janë raportuar gjatë 13 shtatorit në Obiliq, Prishtinë, Prizren dhe Suharekë, ndërsa Policia ka konfiskuar armë, municion dhe mjete të tjera.

Në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjetën një pistoletë dhe 10 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rrethin e Fontanës në Prishtinë, një person tjetër është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjetën një pistoletë dhe 14 fishekë. Pas intervistimit, ai është liruar me vendim të prokurorit dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, gjatë bastisjes së shtëpisë së një të dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar tre fishekë, dy shufra metali të dëmtuara, tri thika dhe tre mulli për bluarjen e narkotikëve. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po në Lubizhdë, në një rast tjetër, gjatë bastisjes së një shtëpie policia ka gjetur një pistoletë dhe 24 fishekë. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në fshatin Shirokë të Suharekës, dy persona janë përleshur fizikisht dhe kanë pësuar lëndime. Njërit prej tyre i është konfiskuar një thikë, ndërsa të dy janë liruar pas intervistimit.

Në fshatin Rracaj të Gjakovës, një person është arrestuar pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje, ka përdorur sprej ndaj një personi tjetër. Spreji është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./A.K/

Exit mobile version