UBT News

Pesë personat më të pasur në botë dyfishuan pasurinë e tyre

Pesë njerëzit më të pasur në Tokë janë bërë shumë më të pasur vitet e fundit. Që nga viti 2020, pasuria neto e këtyre miliarderëve është rritur me 114% në një total prej 869 miliardë dollarësh, pas inflacionit, sipas raportit vjetor të pabarazisë të Oxfam, të publikuar të dielën. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, bota mund të shohë trilionerin e saj të parë në një dekadë.

Në po këtë periudhë, gati pesë miliardë njerëz në mbarë botën janë varfëruar, pasi ata u përballën me inflacionin, luftën dhe krizën klimatike. Do të duheshin gati 230 vjet për të eliminuar varfërinë bazuar në trajektoren aktuale.

Raporti, i cili bazohet në të dhënat e përpiluara nga Forbes, përkon me fillimin e takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, mbledhje elitare e disa prej njerëzve më të pasur dhe liderëve botërorë.

Vlerësohet se 148 korporatat kryesore kanë pasur fitim prej 1.8 trilion dollarë, 52 për qind më shumë sesa mesatarja 3-vjeçare, duke u mundësuar që aksionarët të kenë fitime dhe miliona punëtorë të përballen me krizat e kostos së jetesës, përderisa inflacioni çoi në uljen e pagave.

“Kjo pabarazi nuk është aksidentale. Klasa e miliarderëve po sigurohet që korporatat t’u mundësojnë atyre më shumë pasuri në kurriz të të tjerëve”, tha shefi i Oxfamit, Amitabh Behar.

Elon Musk, i cili drejton disa kompani, sikurse Tesla dhe SpaceX, përjetoi rritje vitet e fundit. Pasuria e tij u rrit në 245.5 miliardë dollarë në fund të nëntorit, 737% më shumë nga marsi i vitit 2020, pas llogaritjes së inflacionit.

Bernard Arnault, kryetar i gjigantit francez të mallrave luksoze LVMH, dhe familja e tij kishin një vlerë neto prej 191.3 miliardë dollarësh, më shumë se 111%.

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, kishte një pasuri prej 167.4 miliardë dollarësh, me 24% rritje; ndërsa pasuria e themeluesit të Oracle, Larry Ellison arriti në 145.5 miliardë dollarë, me një rritje prej 107%.

Në përfundim të listës së pesë njerëzve më të pasur qëndron CEO i Berkshire Hathaway, Warren Buffett, pasuria neto e të cilit u rrit 48% në 119.2 miliardë dollarë./UBTNews/

Exit mobile version