Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte, në kuadër të një operacioni të zhvilluar në rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku janë ekzekutuar urdhër-kontrolle në disa lokacione dhe si rezultat janë arrestuar pesë të dyshuar.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimet janë realizuar pas një sërë veprimesh hetimore dhe urdhër-bastisjesh në pronat e të dyshuarve.
Të arrestuarit janë identifikuar si:
N.P, shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, viti i lindjes 1968 Shtërpcë, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
S.J, i nacionalitetit serb, shtetas Kosovar, i lindur më 1967 në Betollush të Shtërpcës, ish-polic i pensinuar.
B.P, i nacionalitetit serb, i lindur më 1969 në Serqe të Shtërpcës, ish-polic. Ky është arrestuar në likëkalimin kufitar të Merdares, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
S.M, i nacionalitetit serb, viti i lindjes, 1968 në Shtërpcë, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Si dhe, S.S, i nacionalitetit serb, i lindur më 1966 në Gjilan, punëtor në shërbime postare në Serbi , pjesë e formacioneve policore gjatë kryerjes së krimit.
Operacioni është zhvilluar të dielën, ndërsa hetimet lidhur me rastin “Reçaku II” po vazhdojnë.
/A.K/
