Pesë persona janë qëlluar në një qendër edukimi për të rritur në Suedi, tha policia më 4 shkurt.
Agjencia suedeze e lajmeve, TT, raportoi, pa specifikuar burimet, se sulmuesi ka bërë vetëvrasje. Policia nuk ka konfirmuar këto raportime, por pritet të mbajë një konferencë për media.
Qendra e edukimit për të rritur gjendet në qytetin Orebro, rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.
Ende nuk është e qartë nëse policia e ka përfshirë edhe keqbërësin në mesin e pesë personave të qëlluar.
Videot nga vendi i ngjarjes kanë shfaqur prani të madhe policore dhe të autoambulancave. Shkalla e lëndimeve që kanë pësuar viktimat po ashtu ende nuk është e qartë.
Studentët po strehohen në ndërtesat afër. Pjesë të tjera të shkollës janë evakuuar pas dhunës.
“Raportimet për dhunë në Orebro janë shumë serioze. Policia gjendet në vendin e ngjarjes dhe operacioni është duke u zhvilluar. Qeveria është në kontakt të ngushtë me policinë dhe po përcjell nga afër zhvillimet”, tha për agjencinë e lajmeve TT ministri i Drejtësisë, Gunnar Stormmer./REL/