Policia ka informuar sot se janë arrestuar pesë persona për përfshirje në trafikim me armë.
Të dyshuarit, sipas Policisë, në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me datën 12.03.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Mitrovicës Jugore dhe Prishtinës, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme, ku ka rezultuar me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për trafikim me armë. Gjatë operacionit janë arrestuar pesë (5) persona me inicialet S. S., S. S., E. Xh., Sh. D. dhe Sh. J.”, ka bërë të ditur Policia.
Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 20 armë (AK-47), 20 karikatorë AK 47, dy automjete, gjashtë telefona si dhe dokumente relevante për rastin.
Me vendim të prokurorit kompetent, pesë 5 të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.