Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi-Murtezi.
Ata janë paditur për “Cenim të dinjitetit, trajtim çnjerëzor apo poshtërues dhe diskriminim ndaj personave LGBTIQ+”, që sipas këtyre organizatave ka ndodhur në seancën e 16 marsit të vitit 2022.
Sipas tyre, në atë seancë deputetja Demi-Murtezi kishte thënë se “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”.
Demi-Murtezi është deklaruar kundër projektkodit civil, i cili dështoi të miratohej në mars të vitit 2022. Si arsye ishte përmendur pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.