Në kuadër të pakos emergjente për energji dhe e mbështetur nga Komisioni Evropian, Ministria e Ekonomisë ka lansuar të enjten Thirrjen Publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”. Nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth pesë mijë familje, ndërsa u premtua që nuk do të jetë masa e mbështetja e fundit për konsumatorë.
Kryeministri Albin Kurti, tha se thirrje të shpeshta për subvencionim janë bërë të shpeshta, ndërsa synim tha se e kanë kursimin e energjisë elektrike. Ai tha se afër 5 mijë familje pritet të përfitojnë nga kjo thirrje, ndërsa në të kaluarën ka shkuar në mbi 40 mijë familje përfituese.
“Thirrje të këtilla të subvencionit janë bërë të shpeshta, sot është e 13-ta me radhë. Tashmë kemi përkrahur 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro, disa prej tyre për të blerë pajisje të këtilla për ngrohje, disa për të blerë pajisje elektro-shtëpiake, disa për t’i izoluar shtëpitë e për t’i ndërruar dyert e dritaret, e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prishim të energjisë. Dimri që kemi përpara do të jetë më i ngrohtë, përditshmëria e tyre është me e lehtë dhe më e rehatshme e të njëjtën kohë faturat e tyre të energjisë elektrike janë më të ulëta mesatarisht për 19 për qind. Një gjë të tillë po synojmë ta ofrojmë edhe për afro 5 mijë familje të tjera nëpërmjet kësaj thirrje që po e hapim sot”, tha Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, konsideron se konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre masave.
“Vetëm për këto tri vite e gjysmë të mandatit tonë janë bërë shumëfish më shumë investime në efiçiencë të energjisë së janë bërë historikisht në Kosovë ndonjëherë. Vetëm gjatë këtij mandati janë zbatuar masat e efiçiencës në 112 ndërtesa publike, janë përkrahur 35 mijë familje për pajisje elektro-shtëpiake dhe pajisje ngrohëse deri me tani. Masa këto që synojmë t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen… Konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre ndërhyrjeve të tjera në sektorin e emergjisë se e kemi pasur dhe kjo është një ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur sistemit tonë elektroenergjetik në fakt historikisht”, u shpreh Rizvanolli.