Mendja e njeriut është shumë më komplekse dhe e mistershme, nga ajo që guxojmë të imagjinojmë. Mjafton një këngë, aroma e një parfumi apo fytyra e një të panjohuri, dhe automatikisht ajo aktivizon një seri qëndrimesh mbrojtëse, përballë një rreziku që nuk ekziston.
Sipas hulumtimeve të fundit, e shkuara, më konkretisht periudha nga fëmijëria deri në adoleshencë, është e tejmbushur me ngjarje të “pazgjidhura” që më pas reflektohen në të tashmen në formën e krizave të pashpjegueshme të ankthit ose panikut.
Po ç’është ankthi? Përse OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit) e konsideron si një nga vrasësit e heshtur, krahas depresionit? Koncepti i ankthit është i vështirë për t’u përkufizuar, por sipas studimeve, ankthi është një ndjenjë mërzie, tensioni, frike, dhe shqetësimi për të ardhmen. Ai ka një lidhje të ngushtë me frikën nga e panjohura. Ankthi dhe frika janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin.
Psikologu Sigmund Frojd ishte ai që, për herë të parë, u përpoq të gjente dallimin midis tyre. Sipas tij, ankthi lidhet me një gjendje psikologjike që nuk shoqërohet me vëmendje të veçantë ndaj objektit frikësues, ndërsa tek frika, vëmendja është tërësisht e përqendruar tek ky objekt. Askush nuk është imun ndaj ankthit, megjithatë 5 këshillat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë ta mbani nën kontroll.
1. Mos ki frikë nga e ardhmja, jo çdo gjë që ndodh në mendjen tënde do të ndodhë vërtetë.
2. Ndrysho ritmin e frymëmarrjes dhe dil më shpesh shëtitje.
3. Përpiqu të shoqërohesh me njerëz dhe të shmangësh vetminë.
4. Mos ki turp nga ajo që ndjen.
5. Mos harro: Ti je më i rëndësishëm se ankthi, mos lejo të të mbërthejë./living.al/