UBT News

Pesë fakte që duhet t’i dini për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Çdo vit më 8 mars festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas për të përkujtuar dhe nderuar arritjet e grave, për të rritur ndërgjegjësimin për pabarazitë gjinore dhe diskriminimin, si dhe për të promovuar mbështetjen globale për gratë.

Qe sa kohë festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas?

Më 28 shkurt të vitit 1909, Partia e atëhershme Socialiste e Amerikës festoi Ditën e parë Kombëtare të Gruas në përkujtim të 15 mijë grave që protestuan në New York kundër kushteve të vështira të punës dhe pagave të vogla.

Në vitin 1910, Clara Zetkin, një avokuese e të drejtave të grave dhe udhëheqëse e Zyrës së Grave të Gjermanisë për Partinë Social Demokrate, propozoi idenë e një Dite Ndërkombëtare të Gruas.

Më 19 mars të vitit 1911 u mbajt për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku morën pjesë më shumë se 1 milion njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.

Tek në vitin 1975, Kombet e Bashkuara e njohën dhe filluan ta festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas (IWD). Që atëherë, OKB-ja ka shërbyer si sponsori kryesor i ngjarjes vjetore, duke inkurajuar më shumë vende të njohin “aktet e guximit dhe vendosmërisë nga gratë e zakonshme që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendeve dhe komuniteteve të tyre”.

Cili është simboli dhe ngjyra e Ditës Ndërkombëtare të Gruas?

Simboli për Ditën Ndërkombëtare të Gruas është një simbol i gjinisë femërore. Zakonisht shoqërohet me ngjyrë vjollcë, jeshile dhe të bardhë.

Sipas faqes së internetit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, vjollca do të thotë dinjitet dhe drejtësi, jeshile për shpresë dhe e bardha për pastërti.

“Ngjyrat e kanë origjinën nga Unioni Social dhe Politik i Grave (WSPU) në Britani të Madhe në vitin 1908”.

A është festë?

Qëllimi i ditës ndryshon sipas vendit. Në disa, është ditë proteste, ndërsa në të tjera shërben si mjet për të promovuar barazinë gjinore. Në disa vende, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet si festë kombëtare.

Kjo njihet si festë kombëtare zyrtare në Afganistan, Armeni, Bjellorusi, Kamboxhia, Kubë, Gjeorgji, Laos, Mongoli, Mal të Zi, Rusi, Ugandë, Ukrainë dhe Vietnam.

Në disa vende si Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Uzbekistani, Dita e Gruas është kombinuar me Ditën e Nënës, një bashkim për të nxjerrë në pah rëndësinë e grave si nëna.

Në Kinë, shumë grave u jepet një gjysmë dite pushimi nga puna, ndërsa në Itali shënohet me dhurimin e luleve të mimozës.

Pse është festë historike në Rusi?

Në vitin 1917, festa e Ditës së Gruas në Rusi u dha atyre të drejtën e votës. Gratë në Rusi e përkujtuan atë ditë të atij viti duke hyrë në grevë për ‘bukë dhe paqe’ në mënyrë që të protestojnë kundër Luftës së Parë Botërore dhe fushatës për barazi gjinore. Car Nikolla II nuk ishte aspak i lumtur dhe autorizoi gjeneralin Khabalov të Qarkut Ushtarak të Petrogradit të qëllonte çdo grua që refuzonte të tërhiqej. Ato nuk u tërhoqën dhe protestat vazhduan dhe madje çuan në abdikimin e Carit. Qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën e votës si rezultat i protestës së tyre.

Cila është tema e këtij viti?

Që nga viti 1996, çdo Ditë Ndërkombëtare e Gruas ka një temë zyrtare. Tema e parë e miratuar nga OKB-ja në vitin 1996 ishte “Festimi i së kaluarës, planifikimi për të ardhmen”.

Vitin e kaluar, tema ishte #Breakthebias, që theksoi problemet me të cilat përballen gratë për shkak të paragjykimeve gjinore.

Këtë vit tema është #EmbraceEquity. Viti 2023 ka në fokus atë se si barazia gjinore duhet të jetë pjesë e ADN-së së çdo shoqërie: “Është e domosdoshme të kuptojmë dallimin midis drejtësisë dhe barazisë. Qëllimi i temës së fushatës për vitin #EmbraceEquity është që ta shtyjë botën të flasë rreth asaj se pse mundësitë e barabarta nuk janë të mjaftueshme. Njerëzit fillojnë nga vende të ndryshme, kështu që përfshirja dhe përkatësia e vërtetë kërkojnë veprim të barabartë”./UBTNews/

Exit mobile version