UBT News

Pesë emigrantë të paligjshëm zbulohen në një kamion në Ferizaj, ndalohet shoferi

Pesë emigrantë pa dokumente janë zbuluar të premten pasdite brenda rimorkios së një kamioni në terminalin doganor në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, njofton Policia e Kosovës.

Rreth orës 16:00, Policia ka pranuar informacione se në rimorkion e një kamioni me targa vendore mund të ndodheshin persona të dyshuar për qëndrim të paligjshëm në territorin e Kosovës.

Pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese dhe hetuesit e Stacionit Policor në Ferizaj.

Me hapjen e rimorkios janë gjetur pesë emigrantë pa dokumente identifikimi: tre prej tyre 17-vjeçarë, një 18-vjeçar dhe një 28-vjeçar,” ka njoftuar Policia.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe Njësia për Migrim. Emigrantët janë marrë në trajtim, ndërsa drejtuesi i kamionit, shtetasi kosovar B.B., 38 vjeç, është ndaluar dhe ndaj tij kanë nisur procedurat ligjore.

Exit mobile version