Pas konkursit të hapur nga Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës për pranimin e pesë aktorëve të rinjë në teatrin ‘Dodona’, sot janë shpallur rezultatet, përcjellë KultPlus.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka njoftuar se sot bashkë me drejtorin e Teatrit të Qytetit “Dodona”, Visar Krusha, kanë mirëpritur pesë (5) aktorët e përzgjedhur për trupën rezidentet të Teatrit “Dodona” të cilët njëherit kanë nënshkruar kontratat e tyre.
Aktorët e përzgjedhur nga konkursi janë: Molikë Maxhuni, Arta Lahu, Vjosë Tasholli, Leonit Maloku, Ermal Sadiku.
Teatri Dodona deri më tani ka funksionuar vetëm me katër aktorë rezident, kurse nga sot numri i përgjithshëm i aktorëve rezident do të jetë nëntë (9).
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha gjithashtu është shprehur se po synojnë që ky numër të plotësohet në të ardhmen dhe trupa rezidente e Teatrit të Qytetit të Prishtinës të jetë në minimum me njëzetë (20) aktorë rezidentë.
Burimi: KultPlus