Sot shënohet 272-vjetori i ndarjes nga jeta të Ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut imzot Gjon Nikollë Kazazin.
Ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studjuesi arbëresh Pal Skiroi do ta ri-gjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.
Gjon Nikollë Kazazi u lind më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet.
Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41-vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.
Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.
Ndërroi jetë më 5 gusht 1752. Në këtë ditë të amshimit të tij, kontributi i imzot Kazazit shihet si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.