UBT News

“Përvëlohet” Greqia, kërkohet shmangie e punës së panevojshme

Autoritetet greke të premten paralajmëruan kundër punës dhe udhëtimeve të panevojshme, pas temperaturave të larta në Athinë madje edhe monumenti më i vizituar i saj, Acropolis, u mbyll përkohësisht.

Temperaturat kanë qenë të larta në një pjesë të madhe të vendit ditëve të fundit dhe kanë arritur në 44 gradë të hënën e të martën, tha Shërbimi Kombëtar Meteorologjik, duke paralajmëruar për rrezik nga zjarret në natyrë gjatë valës së rrezikshme të vapës.

“Ne vazhdimisht po regjistrojmë temperatura maksimale rekorde në këta vjet, që do të thotë se ndryshimet klimatike janë këtu”, tha Stavros Solomos, hulumtues në Qendrën për Fizikë Atmosferike dhe Klimatologji të Akademisë së Athinës.

“Presim që të kemi valë vape më të shpeshta dhe më intensive si dhe net tropikale”, shtoi ai. Me net tropikale nënkuptohen netët në të cilat temperatura nuk zbret nën 25 apo 30 gradë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Vala e vapës u cilësua e rrezikshme, sepse pritet që të zgjasë disa ditë, të paktën deri të premten e ardhshme, ndërsa kulmin pritet ta arrijë të hënën dhe të martën, tha Theodoros Kolydas, drejtor i shërbimit të motit.

Ministri i Mbrojtjes Civile, Michalis Chrysochoidis, paralajmëroi për temperatura ekstremisht të larta dhe u bëri thirrje grekëve që ta shfaqin nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe bashkëpunimit.

“Unë gjithashtu dua t’u bëj apel qytetarëve që t’i shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë vapës por gjithashtu edhe punën e panevojshme”, tha ai.

Greqia ishte përballur me valën më vdekjeprurëse të vapës më 1987, kur temperaturat e larta kishin mbretëruar për më shumë se një javë. Mbi 1.000 njerëz kishin vdekur.

Exit mobile version