UBT, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Universitetin “Ukshin Hoti”, Universitetin Linneaus University, Norwegian University of Science and Technology, South-East European Research Centre, si dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë përurimin e Shkollës Kombëtare të Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë.
Me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij përshëndetëse ka uruar të gjithë partnerët për zhvillimin dhe finalizimin e gjithë këtij projekti, duke falënderuar në veçanti partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova të ketë një shkollë kombëtare për hulumtime në fushën e teknologjisë informative.
“Kjo shkollë do të jetë një nga nismat më të mira për Kosovën, për shkak që do t’i japë mundësi të rinjve për t’u ngritur profesionalisht në një nivel më të lartë për fusha të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë. E veçanta e kësaj shkolle është se bënë bashkë disa institucione vendore dhe ndërkombëtare. Një falënderim i veçantë i takon Ambasadës së Suedisë dhe asaj të Norvegjisë në Kosovë për mbështetjen e parezervë në këtë nismë”, tha rektori Hajrizi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë në përdorimin e teknologjisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë.
“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion’’, u shpreh kryeministri.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Qerim Qerimi ka thënë se kjo shkollë është demonstrim i bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve.
“Kjo shkollë e re Kombëtare Kërkimore në TIK demonstron fuqinë e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve, organizatave dhe individëve që ndajnë një vizion dhe qëllim të përbashkët”, tha rektori Qerimi.
Kjo shkollë për dy vitet e ardhshme do të jetë e pozicionuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërkaq pas dy viteve do të pozicionohet te partnerët e tjerë, një prej të cilëve është edhe UBT.