Në komunën e Shtimes sot është përuruar rruga që lidh Zonën e dytë Ekonomike të Gllavicës me rrugën magjistrale mes Shtimes dhe Ferizajt, investim ky që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunës dhe më gjerë.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se kjo rrugë është një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të zonës ekonomike.
“Jemi në përurimin e rrugës që të dërgon te zona e dytë ekonomike në Gllavicë, rrugë e cila këtë zonë ekonomike e lidh me rrugën magjistrale mes Shtimës dhe Ferizajt. Është investim mbi 600 mijë euro, rrugë me gjerësi shtatë metra, me kanale kulluese, kanalizim atmosferik për ujëra të zeza, trotuar, me ndriçim, me të gjitha normat e një rruge që i lidhë magjistralen mes dy qyteteve”, tha Aliu.
Ai shtoi se rruga është në shërbim të funksionalizimit të zonës ekonomike, ndërsa përveç saj, komuna ka bërë edhe investime të tjera në këtë zonë.
“Kjo rrugë është në shërbim të funksionalizimit të zonës ekonomike dhe përveç kësaj rruge, ne kemi bërë afro gjysmë milioni euro investime në zonën ekonomike dhe presim që pranverën e ardhshme, siç edhe jemi zotuar me fillu funksionalizimin dhe vendosjen e bizneseve në këtë zonë, e cila do të ndihmojë dhe shërbejë në zhvillimin ekonomik të gjithëmbarshëm në Komunën e Shtimes, por edhe përreth. Kjo zonë ekonomike ka diku 37 hektarë dhe pritet me qenë një nga zonat më të mëdha me biznese”, tha Aliu.
Ky investim i ka kushtuar Komunës së Shtimës mbi 600 mijë euro./D.B/KP