UBT News

Përurohet Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë

Sot zyrtarisht është bërë hapja e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Në hapjen e Qendrës kanë marrë pjesë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryetari Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës dhe shumë personalitete e mysafirë tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, në ceremoninë e përurimit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, tha se kjo hapësirë stërvitore, nuk do të ishte e njëjtë pa suksesin e kampioneve olimpike.

”Kjo qendër nuk do të ishte as e njëjtë as e mundur pa suksesin tuaj. Sot kjo qendër do ndihej e zbrazët pa ju. Kjo qendër është sepse ju jeni në qendër”.

”Sepse kur ka punë, suksesi nuk qëndron larg, pavarësisht nga vjen ai. Bashkërisht u kemi ndërtuar shtëpi të re kampionëve. Le ta bëjmë sportin tek ne, kulturë tonën”.

”Sporti është prioritet shtetëror. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të rrisim numrin e atyre që merren me sportin e xhudos”.

”Kjo do të jetë edhe më e lehtë për të gjithë, e veçanërisht për Dritonin, konsideruar që Majlinda do të jetë pjesë e ekipit të tij të trajnerëve”.

Tutje Kurti bëri të ditur se së shpejti Majlinda Kelmendi do të shpallet qytetare me Merita të Veçanta, si dhe do nënshkruhen nesër vendimet për shpërblimet ndaj Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit.

”Për një moment të duket imagjinare ta mendosh se Kosova triumfon para shteteve që janë fuqi botërore, por në fakt është realitet që të gjithë ne po e gëzojmë, dhe që duhet të dimë ta vlerësojmë”, shtoi ai.

Kurse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me medaljen “Nderi i Republikës, xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Osmani gjatë fjalës së saj tha se shteti i Kosovës do t’ju qëndrojë pranë xhudistëve që kanë arritur të fitojnë medalje, duke iu gëzuar faktit se xhudistët shqiptarë janë bërë me shtëpi “të cilën ata e meritojnë”.

“Nuk ka nder më të madh se sa të lartësosh emrin e flamurit e vendit tonë që vendet tjera nuk i kanë arritur dhe vazhdojnë të ëndërrojnë. Ju keni bërë më shumë se kaq. Fitorja më e madhe e juaja është që keni bërë që emri i Republikës sonë të përmendej e nderohej në vendet që nuk e kanë njohur, që flamuri ynë të valëvitet lart mbi flamujt e vendeve që edhe nuk e njohin Kosovë. Ju e keni bërë këtë, prandaj një komb i tërë ju falënderon” u shpreh ajo.

Teksa në prerjen e shiritit mori pjesë: Kryetari i Xhudos Ndërkombëtare, Marius Vizer, Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti. /klankosova.tv/

Exit mobile version