UBT News

Përurohet impianti i ujërave të zeza në Gjakovë, Kurti: Synojmë shtatë kryeqendra me impiante

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sot në përurimin e impiantit të ujërave të zeza në Komunën e Gjakovës, ku tha se Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

Kurti tha se impianti i përuruar sot është i treti që po e inauguron si kryeministër gjatë dy vjetëve të fundit. Ai u shpreh se partnerët zhvillimorë janë partnerë, jo vetëm për financimin e projekteve të këtilla, por edhe për përvojën dhe praktikat më të mira, që i sjellin tek ne nga vendet e tyre, për të operuar impiante të tilla, që janë akoma risi për neve.

Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, shprehu gjithashtu mirënjohjen për bashkëpunimin me Republikën Federale të Gjermanisë dhe Konfederatën Zvicerane, duke përmendur që për këtë projekt, Banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar me 6 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar edhe 3.2 milionë euro.

Kryeministri shtoi më tutje se pas përurimit të impianteve të ujërave të zeza në Prizren, Pejë e Gjakovë, do të vazhdohet me punën për impiantin në Gjilan, që do të kushtojë 23 milionë euro, në Mitrovicë, për investim 40 milionësh dhe në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kap vlerën rreth 160 milionë euro.

“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kurti, duke se janë gati për të filluar ndërtimin e tri impianteve të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, së bashku me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe kështu, “synojmë që në pesë vitet e ardhshme të kemi shtatë kryeqendra me impiante.”

Ai tha se sfidë e këtij projekti është kostoja për mirëmbajtjen dhe operimin e impiantit dhe se një nga shpenzimet më të mëdha për ujësjellësit është rryma elektrike. Prandaj, “Qeveria është angazhuar dhe ka ndarë fonde, si dhe po negocion me partnerët zhvillimor, për të punuar në efiçiencën e energjisë”.

Kryeministri tha se qeveria synon të sigurojë që investimet në mjedis do të jenë të qëndrueshme dhe të përfitojë i gjithë komuniteti.

Pas fjalëve hyrëse dhe ceremonisë së përurimit, kryeministri Kurti pa nga afër impiantin dhe punën që zhvillohet nga ky impiant.

Exit mobile version