UBT News

Përurimi i rrugës “Kulla e Lirisë” në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, më 26 korrik, u realizua një ceremoni e veçantë për përurimin e rrugës “Kulla e Lirisë”, një projekt që lidh fshatin Reçak me fshatrat Petrov dhe Belincë. Ky investim ka një rëndësi të veçantë për komunitetin dhe nderon kujtimin e dëshmorëve të rënë gjatë luftës për liri.

Ceremonia e përurimit u zhvillua në një atmosferë solemne dhe të mbushur me emocion, për të përkujtuar kontributin e dëshmorëve të Komunës së Shtimes. Rruga “Kulla e Lirisë” është ndërtuar për të lidhur fshatrat Reçak, Petrov dhe Belincë, dhe ka një simbolikë të thellë që lidhet me ngjarjet historike dhe vlerat e luftës për liri.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, theksoi rëndësinë simbolike të këtij projekti në fjalimin e tij gjatë ceremonisë. Ai shprehu se rruga “Kulla e Lirisë” është më shumë se një thjesht lidhës fizik ndërmjet fshatrave.

“Në këtë ditë të shënuar, 26 korrik, dita e dëshmorëve të komunës së Shtimes, kemi përuruar një vepër që ndërlidhet direkt me këtë ngjarje dhe me vlerat e luftës,” tha Aliu.

“Kjo rrugë nuk është vetëm një lidhës ndërmjet Reçakut dhe fshatrave të tjerë. Ajo ka një simbolikë të veçantë, pasi lidh memorialin e masakrës së Reçakut me kullën e lirisë dhe shkronjat e UÇK-së. Vlera kryesore e saj është që mbi martirët e masakrës së Reçakut ku fillon kjo rrugë, lidh lapidarët e dëshmorëve të kombit që kanë rënë për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë bashkërisht.”

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë gjithashtu zëvendësministri i Infrastrukturës, Jeton Raka. Ai e përshëndeti këtë projekt si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës dhe ruajtjen e trashëgimisë historike të Kosovës./UBTNews/

 

 

 

Exit mobile version