Në një vendim të fundit të qeverisë së Kosovës, përdorimi i aplikacionit TikTok në institucionet publike është ndaluar për të parandaluar rrezikun e dezinformatave dhe sulmeve kibernetike. Ky veprim vjen në kontekstin e masave të ngjashme të marra nga vende të Bashkimit Evropian për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin e të dhënave.
Blerton Abazi, dekan në Fakultetin Sisteme të Informacionit në UBT vendimin e përshkruan si të rëndësishëm dhe në përputhje me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Vendimi i fundit i qeverisë për të ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike mendoj se është një vendim i duhur dhe shumë i rëndësishëm. Ky vendim është në përputhje me masat e marra nga vendet e Bashkimit Evropian si Belgjika, Holanda, Suedia dhe vende të tjera, me qëllim parandalimin e rrjedhjes së informacionit nga brenda, sulmeve kibernetike dhe shpërndarjes së dezinformatave”, shprehet Abazi.
Deklarata e Abazit, reflekton shqetësimet e përhapjes së informacioneve të rreme dhe mundësinë e sulmeve kibernetike nëpërmjet këtyre platformave, gjë që ka shtuar ndjeshmërinë e qeverive dhe institucioneve për të rritur masat e sigurisë dhe kontrollit të tyre.
“Ky është një përfundim i arritur nga shumë vende që konsiderojnë se përdorimi i TikTok-ut apo aplikacioneve të ngjashme ndikon shumë në përhapjen e dezinformatave, në sigurinë kibernetike dhe në rrjedhjen e të dhënave”, vlerëson profesori.
Profesori Abazi, gjithashtu diskutoi për përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të aplikacioneve të rrjeteve sociale në vendet e punës, duke theksuar se menaxhimi i tyre duhet të bëhet me kujdes për të parandaluar dëmtimet potenciale në reputacion dhe produktivitet.
“Në vendet e punës, kryesisht kompanitë private e përdorin TikTok-un në fushën e marketingut dhe promovimit të produkteve dhe shërbimeve të tyre. Kjo praktikë ka mangësitë dhe përparësitë e veta, por mendoj se përdorimi i çdo vegle të rrjeteve sociale, nëse menaxhohet mirë, mund të përdoret deri në një masë të caktuar për përfitime. Nëse tejkalohet apo bëhet viral në pika dhe procese të caktuara, mund të jetë i dëmshëm dhe mund të ndikojë në reputacion, produktivitet dhe në procese të tjera”, vë në theks Abazi.
Fokus Abazi i dha edhe vendimit duke konsideruar se përmes tij do të synohet të parandalohen dhe reduktohen rreziqet e dezinformatave dhe potencialisht sulmet ndaj të dhënave të ndjeshme të qytetarëve.
“Ky është kryesisht qëllimi pse është ndaluar përdorimi i TikTok-ut, për të parandaluar dhe minimizuar mundësinë e dezinformatave dhe potencialisht ndonjë sulm ndaj të dhënave të ndjeshme të qytetarëve”, përfundon Abazi./UBTNews/
Dionesa Ebibi