Faruk Kukaj, qytetar nga Prishtina, të mërkurën ka qenë në seancë gjyqësore në cilësinë e paditësit ndaj komunës së Prishtinës, për moskrijimin e qasjes së lehtë në lëvizje të personave me nevoja të veçanta.
Pas seancës së parë, Kukaj ka thënë se ai dhe personat të tjerë me aftësi të kufizuara e kanë problem lëvizjen në kryeqytet dhe në institucione.
“E kam të vështirë të qarkullojë dhe të marr shërbime në institucione. Pastaj na jemi diskriminuar se s’po mund te marrim pjesë si të tjerët. Sot ishte seanca përgatitore dhe u dëgjua pala mbrojtëse. Unë jam optimist dhe do të luftojë për të drejtat e mia”, tha ai.
Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës HANDIKOS, tha se ata janë të diskriminuar në lëvizje. Sipas tij, kryetari Ahmeti s’ka përmbushur premtimet e dhëna për qasje më të lehtë.
“Në bazë të ligjit, personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar në lëvizje dhe komuna nuk ka bërë mjaft për ta sepse ka thënë që në rrugë do të bëjë lëvizjen e qasshme”, tha ai.
Besart Elshani nga zyra e Avokatit të Popullit, tha se ky mund të jetë rasti i parë kur një qytetar bënë një padi të kësaj natyre. Ai tha sa sot nga gjykata i është dhënë afat paditësit për përpilim të padisë dhe sjelljes së fakteve.
“Ne sot në këtë seancë jemi në cilësi të monitoruesit dhe nuk do të thotë që me kaq do të përfundojmë. Por do të marrim edhe veprime tjera. Ne kemi disa raste mirëpo kemi reaguar në kuptimin e mandatit ligjor që kemi që është kompetencë shtesë. Nuk është caktuar seancë e ardhshme, por afat ligjor prej tre ditësh. Kjo është padia e parë që ka të bëjë me diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara”, tha Elshani.