UBT News

Përplasje të forta të protestuesve me policinë në Beograd

Beogradi është tronditur nga përleshje të ashpra midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, teksa qytetarë të revoltuar u përpoqën të çmontonin gardhin mbrojtës para ndërtesës së Kuvendit të qytetit. Situata eskaloi kur sigurimi ndërhyri për të ndaluar turmën, por u detyrua të tërhiqej pasi në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat arrestuan disa protestues të dyshuar për përfshirje në dhunë.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit rrethuan një automjet policor, duke penguar lëvizjen e tij. Përplasjet u ashpërsuan, duke përfshirë edhe këshilltarë opozitarë, të cilët u konfrontuan me forcat e rendit.

Turma brohoriste parulla kundër autoriteteve, ndërsa ndërtesa e Kuvendit u godit me vezë dhe bojë të kuqe, një simbolikë e përdorur për të akuzuar pushtetin për dhunë dhe korrupsion.

Manifestimi u organizua nga iniciativa “Ura mbetet”, e cila kundërshton planin e qeverisë për prishjen e Urës së Vjetër të Savës. Organizatorët kërkuan anulimin e projekteve ndërtimore jotransparente dhe mbështetje për protestat studentore.

Për të kundërshtuar mbajtjen e seancës së Kuvendit të qytetit, anëtarët e opozitës intonuan himnin kombëtar të Serbisë dhe shpalosën flamujt kombëtarë në sallë, duke sfiduar shumicën qeverisëse, e cila refuzoi të bashkohej në këto veprime simbolike.

Këshilltari i lëvizjes “Zgjohu e ndrysho”, Savo Manojloviç, denoncoi se seanca ishte mbajtur në mënyrë të paligjshme, duke theksuar mungesën e një protokolli të qartë dhe paqartësinë mbi çështjet që po votoheshin.

Ndërkohë, forcat e sigurisë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll situatën, ndërsa protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të kundërshtimeve nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh./UBTNews/

Exit mobile version