UBT News

Përplasje për menaxhimin e mbeturinave: Reçica akuzon Ramën për veprime të paligjshme

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për manipulim të tenderëve dhe për përpjekje për t’i dhënë ato miqve të tij. Reçica ka reaguar pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave nga Rama, duke e akuzuar atë për veprime që, sipas tij, bllokojnë shërbimet publike dhe krijojnë kaos në qytet.

Ai ka pohuar se Rama ka tentuar të sabotojë shërbimet e “Pastrimit” për të justifikuar dhënien e tenderëve të grumbullimit të mbeturinave kompanive private, dhe ka kërkuar shkarkimin e tij.

Reçica ka thënë se punëtorët e “Pastrimit” po punojnë pa ndërprerje për të siguruar shërbimet, ndërsa ka shprehur dyshime se Rama po planifikon hapjen e një tenderi të negociuar, siç ndodhi edhe në vitin 2024, për të favorizuar kompanitë që kanë lidhje me pushtetin komunal. Ai ka theksuar se ky proces është i paligjshëm dhe se qëllimi i vërtetë është kontrolli i tenderëve dhe parave publike, dhe jo përmirësimi i pastërtisë së qytetit./UBTNews/

Exit mobile version