Të mbijetuarit kanë treguar për rreth “sekonda makth” që përjetuan pasi vagoni i tyre i trenit u përmbys dhe u përfshi nga flakët në një aksident në Greqinë qendrore.
Të paktën 38 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan pas përplasjes kokë më kokë midis dy trenave pranë qytetit të Larisës mbrëmjen e së martës.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe”, tha pasagjeri 28-vjeçar, Stergios Minenis, i cili u hodh në vend të sigurt nga rrënojat.
“Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin, njerëz të bllokuar”, deklaroi ai tutje.
Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut kur u përplas kokë më kokë me trenin tjetër të mallrave, duke bërë që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë, pak para mesnatës me kohë lokale. Ky po cilësohet si aksidenti më i rëndë mes trenave që Greqia ka përjetuar ndonjëherë.
Policia ka nisur hetimet dhe ka arrestuar një drejtues stacioni lokal në Larisa.
Të mbijetuarit kanë përshkruar skenat kaotike pas përplasjes, dhe një pasagjer i tronditur tha për BBC: “Njerëzit ishin në panik dhe bërtisnin – disa njerëz kishin frikë se do të vdisnin”.
Një tjetër tha për televizionin Skai se ishte shumë me fat që i shpëtoi karrocës së tij “mjaft shpejt”, por “në vagonët e tjerë nuk arritën të dilnin, madje një vagon mori flakë”.
Disa pasagjerë thanë se u detyruan të thyenin xhamat e karrocës me trupat ose bagazhet e tyre për t’i shpëtuar rrënojave të djegura.
Shumë nga 350 pasagjerët që ndodheshin në tren ishin studentë rreth të 20-ave që ktheheshin në Selanik pas një fundjave të gjatë duke festuar Kreshmën Ortodokse Greke./UBTNews/