Ministria e Punëve të Jashtme po ngec në ofrimin e dokumentacioneve të kërkuara.
Kështu u tha në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së.
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni po mbahet takim me tre ekspertët e angazhuar në këtë hetim.
Këta të fundit kanë prezantuar listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu -Shoshi tha se Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga komisioni.
“Ka edhe shumë dokumente që kemi kërkuar, kemi ngecje të dokumenteve nga Ministria e Punëve të Jashtme. Prandaj, shfrytëzoj edhe sot që të lusim ministrinë që të sjellin të gjitha dokumentet e kërkuara”, tha ajo.
Kryetarja e këtij komisioni, Time Kadriaj tha se në mungesë të sjelljes së dokumentacionit po ngecin në punë.
E, ligji për Shërbimin e Jashtëm ka përplasur deputetët e opozitës dhe pozitës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se reforma ka filluar në vitin 2019 dhe se kanë respektuar bazën ligjore.
“Je abuzuese, ti Fitore gjithë je abuzuese”, i ka thënë deputetja Time Kadriaj-Fitore Pacollit.
Pas kësaj, deputetet e pushtetit, Jeta Statovci e më pas edhe Fitore Pacolli janë larguar nga komisioni.