UBT News

Përplasen Murati e Gashi: S’do të ketë normalitet në Kuvend nëse bllokohen paratë e komunave

Ministri i Financave, Hekuran Murati u është përgjigjur shqetësimeve të kryetarit të Prishtinës dhe opozitës për bllokimin e bartjes së të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Ministri Murati në seancën parlamentare theksoi se kjo çështje rregullohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak bartën në vitin vijues.

Kurse, Grupi Parlamentar i LDK-së paralajmëroi se s’do të ketë normalitet në Kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale dhe komunave.

“Çështja që u ngrit, që kishte reaguar edhe kryetari i Prishtinës, për të hyrat vetanake, kjo çështje rregullohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak bartën në vitin vijues. Kjo çështje rregullohet pastaj edhe me Ligjin e Buxhetit, i cili e thotë të njëjtën gjë. Pra, të hyrat vetanake nga viti 2022 të bartën në vitin 2023 dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike. Madje, nëse u kujtohet ka qenë pikërisht ky nen, neni 9 paragrafi 6 që është amandamentuar nga Grupi parlamentar i LDK-së dhe është votuar edhe nga GP i Vetëvendosje. Pra, ligji për buxhetin e parash këtë, të cilin po e thotë deputeti Tahiri dhe ne po e zbatojmë ligjin të cilin e keni miratuar ju në kuvend”, theksoi Murati.

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi theksoi se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse bllokohen mjetet financiare të komunave.

“Mos bëni kësi skenash, sepse po na detyroni me shkuar në drejtimet të cilat pastaj janë të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të ketë normalitet në këtë kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale dhe komunave. Nuk do të kalojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe ju premtoj në emër të GP të LDK-së se këtu nuk ka me pasur normalitet më”, theksoi Gashi.

Ndaj deputetit Gashi ka reaguar ministri Murati, ku theksoi se ajo çka shkruan në Ligjin e buxhetit duhet të zbatohet dhe premtoi se nuk do ta shkelin atë.

“Amandamenti i GP të LDK-së i votuar nga kuvendi të cilin ne si qeveri duhet ta zbatojmë. Por nëse keni pasur problem si Grup parlamentar që ta përktheni atë që keni menduar në të shkruar, është problemi i juaj. Mirëpo, ajo çka shkruan në buxhet duhet të zbatohet, ne nuk mund të shkelim ligjin e buxhetit. Në ligj të buxhetit në nenin e amendamentuar nga ju thuhet që të hyrat vetanake nga viti 2022 bartën për vitin 2023 dhe kjo është në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, theksoi ai.

Deputeti nga LDK-ja, Gashi nuk u ndal me keq, tha se kot e ka ministri Murati, nuk ka me pasur shans që parat e komunave me i marrë Qeveria.

“Krejt ai buxhet është i vitit 2022, kështu që kot e ke, nuk ke me pasur shans që parat e komunave me i marrë mbaje mend. Shans nuk ke me pasur, janë burime vetanake, sikur me ia marrë dikujt parat prej xhepit. Ligji dhe Kushtetuta e rregullon këtë çështje, kot je duke u munduar me bërë arsyetime pa lidhje, sepse është e drejt ekskluzive e komunave me menaxhuar me buxhetet e veta”, theksoi ai.

Exit mobile version