UBT News

Përplasen Krasniqi e Murati për kriptovaluta, kryetari i PDK-së: Kallëzo sa i ki ti ministër?

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi janë përplasur ashpër në seancën parlamentare për krizën ekonomike dhe kriptovalutat.

“Fillimisht ishte deputeti Krasniqi ai që ishte i zëshëm në aspektin e krizës që ka goditur qytetarët. Është një krizë që po ndodhë në gjithë botën. Por nuk kemi dëgjuar që më të zëshmit të jenë shtresa e pasur, politikanët dhe deputetët. Për shtesën e mesme dhe të varfër, ne si qeveri kemi bërë shumë më tepër se që ka bërë ndonjë qeveri paraprake, duke filluar nga pensionistët për ndarje shtesë nga 100 euro, kemi rritur pensionet bazike për 11 për qind. Janë 420 euro që ka marrë secili pensionist mbi pensionin që ka pasur. Kemi ndarë shtesa për studentë, për familjet në asistencë sociale. Hiq më largë se dje, kemi ndarë 18 milionë euro shtesë për bujqësi. Mirëpo çka nuk mund të zotohem, është se nuk do të mbështesim humbjet në kriptovaluta nëse dikujt i është vështirësuar gjendja financiare për shkak të rënies së kriptovalutave. Nuk mund ta kompensojmë atë kërkoj ndjesë”, tha Murati.

Deputeti Krasniqi në replikën e tij ndaj ministrit Murati, ka thënë se ai gjithmonë i ka deklaruar ato, teksa e ka pyetur ministrin Murati se sa kriptovaluta ka ai.

Krasniqi tha se turpi është kur qeveria fle para kësaj krize, e turpi më i madh i takon ministrit të Financave që e ka humbur qasjen me realitetin.

“Çudia edhe turpi është kur qeveria flenë para kësaj krize, e turpi më i madh i takon ministrit të Financave që e ka hup qasjen me realitetin. Ti po më flet për fermerë kur e ke taku një fermer qe një vit e gjysmë që je ministër? Një fermer, cilin e ke vizitu, t’i s’dini gjë për atë temë as për bujqësi… E ki qeverinë e milionerëve, krejt këtu jeni milionera gati, ti s’po kupton asgjë. Ju keni dhënë lëmoshë njerëzve pa asnjë plan, kur i keni takuar bizneset, po ju s’keni dashtë as me sindikata me u taku, edhe kur i takoni ata i ofendoni me arrogancën e juaj. Problemi kryesor është që ju jeni të shkëputur nga realiteti dhe kriza. Ndërsa, për kriptovaluta unë jam ekspert, por unë jam ai që i kam deklaruar të gjitha, pse s’po i deklaron ti tuat, kallëzo sa i ki”, tha Krasniqi.

Ministri Murati nuk u ndal me kaq, ai ka kritikuar edhe kreun e LDK-së, Abdixhikun, i cili tha se deputeti në fjalë në fjalimin e tij po i referohet lajmeve të rreme për largimin e qytetarëve nga Kosova.

“Në raport me atë që tha deputeti Abdixhiku, mua më vjen keq për një person që e kam konsideruar që së paku e njeh fushën e ekonomisë, u referohet shifrave që vijnë nga lajmet e rreme. Pra, nuk do të duhet të binte në këtë nivel, por meqenëse ka mungesë të argumenteve, duke bllokuar punën në komuna sidomos në komunat ku qeverisin këto parti, po u pamundësoni familjeve në asistencë sociale që të përfitojnë këtë muaj nga dyfishimi i asistencës sociale. Këto kategori e kanë të vetmin burim të financimit, dhe po ua mohoni, e në anën tjetër ju na tregoni se si duhet t’ju ndihmohet qytetarëve. Andaj, turp duhet t’ju vjen”, tha Murati. 

Exit mobile version